Përdoruese e drogës, tani mbaj në krahë vajzën time!
Në moshën 18 vjeç kaloja periudhën më të errët të jetës sime . Me djalin që kisha marrëdhënie isha ndarë, sepse ishte ai që më bëri përdoruese të helmit të bardhë, i dhunshëm siç qe më kishte shkatërruar komplet jetën, aq më tepër si njeri. Nuk po njihja më veten. Jetoja në Itali asaj kohe bashkë me mamin dhe babin. Babi pësoi një aksident në punë dhe për të jeta kishte rezervuar një periudhë depresioni të thellë,por më të rëndë ua bëra unë gjendjen prindërve të mi, sepse abuzoja duke u vjedhur dhe ato pak lekë që mezi i vinin mënjanë, me sakrifica.
Me ndihmën e babit e nxorra jashtë nga jeta ime atë njeri të errët dhe në një qendër rehabi nisa dizintoksikimin. Një tmerr i vërtetë nuk mund tjua përshkruaj dot me fjalë, sa e vështirë ishte ripërtëritja. Në qendrën ku isha në Jug të Italisë u njoha me një djalë të mrekullueshëm që më dha forcë dhe kurajo për të ecur përpara dhe ta luftoja dëshirën për të marrë helm. Në fillim më ndenji pranë si mik, më pas marrëdhëniet tona U bënë më të ngushta. Nuk ia fal vetes atë ditë kur djali, që më kish mësuar helmin erdhi të më takonte dhe ngaqë isha keq dhe më dukej tepër e errët e ardhmja ime kreva marrëdhënie intime vetëm një herë. 18 vjeç dhe ajo herë e mallkuar më shkatërroi edhe lidhjen me djalin e mrekullueshëm, që më kish ndihmuar aq shumë, për t'ia dalë mbanë.... isha shtatzënë dhe jo me djalin që më donte. Ai kur mori vesh për shtatzaninë nuk e pertypi dot faktin, që fëmija nuk ishte i tij. Dhe nuk i vë aspak faj.... për gjithçka isha përgjegjëse vetë dhe i bija kokës me grushta. Faza e fundit e rehabilitimit më gjeti shtatzënë.
Vendosa ta mbaja foshnjën.
E frikësuar, se si do të bëja ta rrisja vetëm fola me të atin e foshnjës sime dhe ai donte ta çoja deri në fund këtë shtatzani. Provova të bashkëjetoja me të për gati 3javë si në ferrin e vërtetë, sepse ai filloi prapë nga dhuna keqtrajtimet, mosrespekti, kërcënimet, për të mos i treguar asgjë babit, më linte frigoriferin bosh dhe pa asnjë lek në xhep, por unë ia tregova të gjitha dhe babi im i shtrenjtë nuk më la, erdhi dhe më hoqi menjëherë nga kthetrat e tij! Ai mbetet për mua heroi im dhe jam penduar për brengat e mëdha që i kam shkaktuar. Shkollën e mesme e kisha mbaruar dhe gjithë miqtë e mi morën drejtime të ndryshme në jetë, unë nuk kisha më as miq as shok jete. Një Zot e di sa herë kam shkuar tek mjeku të abortoja dhe sa herë tentova të gjeja ngushëllimin tek helmi i bardhë, por foshnja sikur më fliste dhe më thosh: mos mam, ti tani më ke mua.
Atëherë si me magji e kuptova çdo të bëja, detyra ime ishte ta mbroja nga çdo lëndim vajzën time. Ajo nuk më kishte zgjedhur mua, pa arsye për mami, ajo kishte ardhur që të më nxirrte nga pusi I thellë ku kisha rënë.
Vendosa ta rris vetë sigurisht me mbështetjen e pashoqe të prindërve të mi, por fatkeqësia e babit ndryshoi tërësisht rrjedhën e jetëve tona. Nuk harroj kurrë edhe sakrificat e prindërve të mi, që me lekët e fundit që kishin mbledhur vendosëm të kthehemi në Shqipëri dhe të hapnim një dyqan modest veshjesh për burra. Shumë shpejt pas këtij vendimi mbaja në krahë në krahë e lumtur engjëllin tim. Forca ime e vogël. Ajo ma mban mendjen edhe sot kur ndjej se mund të rrëshqas në humnerën e së kaluarës sime. Nuk arrij të kuptoj kush lindi kë! Unë vajzën, apo vajza mua. Di vetëm që ajo është bërë forca ime e brendshme, që më tërheq si me dorë nga rruga dhe vendimet e gabuara në jetën time!
(kjo histori ka mbërritur në adresën tonë This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it. )
Doni të na tregoni edhe ju historinë e jetës suaj mëmësore? Na shkruani në This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.. Jeni të mirëpritur!