Pas 24 vjetësh përpjekje butësia ime prej 2753gramësh mbulonte syçkat, për tu mbrojtur nga dielli

Egi ishte vetëm 15 vjeç kur u dashurua me Endrin. Hapat e frikësuar në errësirën e mbrëmjes e çuan drejt  "eksperimentueses" kështu e quanin atë grua, që ndihmonte vajzat e reja të dilnin nga halli.... 
... do të theri yt atë, na turpërove, që mos u bëfsh ti moj.... Hapat? Jo, hapat nuk hynin këtu. Në atë shtëpi të ndërtuar me heqje hallesh e shtyu e ëma, klithjet e saj, që i shponin veshët, që i dridhnin mishin dhe foshnjën në fund të barkut. 
Kur u nda me "eksperimentuesen" hemorragjia nuk kishte vazhduar gjatë e megjithatë dëgjoi pas shpatullave - po pate gjakderdhje menjëherë në spital, ç'të bëj që jeni në hall, por nuk fusja duart, aty ku duhet mjeku.... koka i buçiste dhe trupi iu rrënqeth. 
Jashtë xhamit të lagur mbrëmja kafshonte kryeqytetin dhe ngriti kokën nga ky kafshim, sapo dëgjoi zilen e telefonit. - Jam Endri një shok klase i Egit - gënjeu ai të ëmën e saj. Mund të flas me të? - Egi është për ty - ngriti zërin e bezdisur e ëma.... 
Kafja e lagjes ishte e mbushur me çifte që lëpinin lugën e zbrazur të kupës së akulloreve, të hutuar pas syve të partnerëve të vet, duke harruar, se kupat bosh duheshin zëvendësuar. Endri nuk e kishte prekur akulloren, ndërsa kupa e Egit shkrinte në pritje... thua se i dinte të gjitha. Edhe seksin e fëmijës... ishte vajzë... ishte, nuk është më..... mos më mundo më... e bëra... e di që nuk do të më falësh kurrë Endri, por unë nuk mundesha! Më fal në mundsh... por nuk munda! Ai e përqafoi fort, i ngriti kokën me duar dhe i pëshpëriti: më shih, më shih në sy, nuk do të lë më kurrë vetëm. 
Ai shtyu me këmbë cigaren e fundit, kur pa të dilte nga kangjellat e universitetit kurmin e saj të zhdërvjellët... pas kaq vitesh është po aq e bukur si atë ditë kur e njoha. E mbërtheu prej beli dhe i tha: më lër ta gjej nuk je më asistente, je pedagogia ime! Ajo s'pipëtiu, por me vrull gazmor iu struk në gji: më janë vonuar! Atij i shkëlqyen sytë: të na rrojë djali! Të dy qeshën fort dhe u drejtuan nga studioja private e Jonidës, gjinekologes dhe mikeshës së tyre më të mirë. Tum tum tum - të dy shpërthyen në të qeshura, ndërsa Jonida gjithë gaz ngriti zërin: të çmendur, pushoni, dëgjoni zemrën! 
Atë natë u shtrinë, por nuk fjetën. Të lumtur mbushën dhomën me fletë blloku, ku shkruajtën emra djemsh. 
Egi kërceu përpjetë, sikur ta kishte kafshuar gjësend në ijë, kur ndjeu pellgun e lagësht, që ishte krijuar nën vithe. Endri, Endri bebi, bebi, po humb bebin. Pas gjysmë ore bebi i tyre nuk ishte më. Pas 23 vjetësh kishin humbur tashmë në këtë mënyrë edhe dy fëmijë të tjerë. Përpiqeshin dhe i humbnin. Filluan periudhën e vështirë të analizave për shumëabort.... Jonida nuk gjente një arsye logjike, se pse Egi i humbte foshnjat.... nuk gjente asnjë dreq arsye... gjithçka mallkueshmërisht në rregull. Egi arrinte deri aty, sa të mendonte, që këto përpjekje pa asnjë rezultat, ishin haket e vajzës së parë, që shkuli nga vetja, me ndihmën e "eksperimentueses". Nuk ka si të jetë ndryshe, qante netëve në krahët e Endrit. 
Egiiii! Egi aty je? Shiko zemër, 15 ditë në një fshat të Francës, si thua? Në djall analizat, le të mendojmë pak për vete!  Ajo u përlot dhe e përgjëroi të mos largohej nga Jonida, por ai i vuri gishtin tregues mbi buzë, i ledhatoi gushën dhe e  thithi në kraharorin e tij, më i bindur se kurrë, se ajri i Francës do i dhuronte medoemos një foshnjë. 
Në aeroport i priste Jonida. Menjëherë të tre të uritur morën rrugën drejt restorantit të tyre dhe Egi nuk mund të mos ishte hireplotë pas atij udhëtimi, kishte nisur sërish me Endrin të linin faqet e grisura të bllokut me emra foshnjash. Në çdo stol, në tavolinën e tyre, në sallat dhe amfiteatrin e universitetit ku ligjëronte ajo harronte e lumtur fletë të shkëputura blloku. 
Të pres të Premten - thirri me zë Jonida. Do të jem - ia ktheu me vendosmëri Egi. Të Premten ishin të dy me duar të bashkuara dhe prisnin me padurim je shtatzënën e Jonidës dhe ajo u sul drejt tyre duke i përqafuar: të çmendur, jeni shtatzënë, të çmendurit e mi... Ata u drodhën në duart e njëri-tjetrit.... nuk u besonin veshëve... pas 24vjetësh Egi merrte emrin nënë. Butësia e saj prej 2753gramësh mbulonte syçkat me duar, që të mos ia vriste sytë dielli i fortë i atij Qershori. Endri puthte i pangopur duart e vajzës dhe Egit duke pëshpëritur: emri i saj do jetë Jeta!

Related Articles

blog comments powered by Disqus