E hedh nga shkallët dhe humb fëmijën
Ata u martuan në vitin 2003. Anxhela ishte vetëm 18 vjeç. Tërësisht e dashuruar pas një burri shumë herë më të madh në moshë se ajo vetë. Mund të ishte shumë lehtë babai i saj! - mund të mendoje, po ti shihje bashkë të shoqëruar, të kapur dorë për dore, a thua se ai kishte frikë, se po të mos mbahej tek Anxhela e tij do të rrëzohej nga çasti në çast.
Para martesës së tyre gjithçka shkonte shumë mirë, të paktën Anxhela kishte gjetur tek ai babain, që nuk e kishte pasur pranë.
E kishte humbur shumë herët të atin, në një aksident automobilistik, ndërsa atij Anxhela i vinte pas avazit, e trajtonte si një fëmijë dhe i dukej se kështu do të shërohej nga e kaluara tij e dhunshme, që i fali zemergjerësisht i ati, një i alkoolizuar i pashpresë, që për dështimet e tij dhe jetën në një kamper të ndryshkur e të pistë ia kishte hedhur fajin të birit. Edhe buzët pas buke ia fshinte me duart e saj, edhe për hekurosjen e pantallonave me dy vija, para martese Anxhelës i putheshin duart.... por pas martese gjithçka ndryshoi rrënjësisht, si në një skenë filmi, pelikulat e të cilit ishin montuar nga nga një regjisor i pavëmendshëm. Natën e parë bashkë, megjithëse Anxhela ishte e virgjër ai u turr mbi të si një i zhuritur në shkretëtirë. Dhuna e asaj nate e largoi përgjithmonë dashurinë e Anxhelës nga kasapi. Pre e krizave të panikut, pasigurisë dhe frikës ajo vazhdon "ta shtyjë" lidhjen, siç i tregonte dhe mikes së saj, kur gjerbnin së bashku mbrëmjeve kafetë me sheqer kallami të kafenesë "Eklips", në ato pak raste të rralla që ai e linte të dilte e shpëtonte nga tmerri se ai mund t'ia lëndonte fëmijën në bark. Por të rrish me kasapin herët a vonë do të prekë hanxhari dhe goditja finale nuk priti gjatë. Ai për pantallonat e hekurosura me dy vija filloi ta rrihte pa mëshirë... ajo si padashur u gjend përballë shkallëve, për të larguar foshnjën në bark larg nga goditjet e tij. Ndjeu pas kurrizit dy duar të fuqishme që i dhanë shtysën, a thua se mezi po prisnin dhe e kishin planifikuar me kohë, që ajo tu afrohej shkallëve.
Vrapi i tij drejt spitalit u bë për hapjen e syve dhe mbylljen e gojëve të njerëzve.
- Më vjen keq zonjë, por e keni humbur fëmijën! - bucet ende në veshët e saj zëri i gjinekologes. Pas 3 orësh ai e detyroi të bënte pastrimin tek një spital tjetër, ku punonte motra e tij, e cila shkroi në regjistër "ndërprerje të panjohur të vullnetshme të shtatzanisë". Foshnja e saj u fshi sikur të mos kishte qenë kurrë, ndërsa fajtori i vërtetë vazhdon ta mbarsë dhe ta lehtësojë me grushta barrën e saj... ndoshta Anxhela është mësuar... ndoshta...?!!!
(Ky tregim është bazuar në një histori të vërtetë e dërguar me rrugë email-i në This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.)