Irisin tim të vogël e humba foshnjë 3javëshe

  • Facebook
  • Topic Author
  • Offline
  • Platinum Member
  • Platinum Member
More
10 years 7 months ago #2615 by Facebook
Djalin tim Ilirin e ruan nga lart engjëlli ynë Irisi
Irisin tim të vogël e humba foshnjë 3javëshe. Ishte fëmija im I parë. Një Zot e di sa do të doja të vdisja bashkë me të... Mu desh kohë të kaloja këtë tragjedi, që më shpoi zemrën tej e përtej. Nuk do të arrija kurrë t'ia dilja, nëse nuk do të kisha në krahë dritën e syve të mi Ilirin.. dhe e di se Irisi im e ruan në çdo frymëmarrje, në çdo rrahje të vazhdueshme zemre. Ma ndjen zemra se Irisi e ruan nga lart vëllain e saj. Është kthyer në engjëllin e tij mbrojtës.
Historia ime ndoshta do tju trishtojë, por do doja të mbetej këtu kujtim edhe emri im saj prej engjëlli,një emër, një histori, një copëz jete e mbushur me dhimbje e lot të nxehtë, por edhe një histori rilindjeje. Unë rilinda sërish nënë dhe ajo rilindi tek Iliri.
Rashë në dashuri me një djalë, që nuk ma rikthente me të njëjtën monedhë dashurinë. Në fakt, sapo mori vesh, që isha shtatzënë me Irisin U zhduk pa lënë gjurmë. As atësi, asgjë nuk i dha, edhe pse nuk i kushtonte asgjë të paktën të merrte emrin baba.
Imazhi i kësaj dashurie të gënjeshtërt mu kthye në shkrumb mbi duar! Kështu e pashë veten shtatzënë dhe vetëm, por familja dhe miqtë e mi nuk më braktisën. Shtatzania ime shkoi mrekullisht dhe kur mora ndër krahë Irisin fluturoja nga gëzimi. Dhimbjet u zhdukën si me magji, kur dora e saj e vogël mbërtheu gishtin tim. Unë aty, në atë çast e kuptova se isha më shumë se gati të bëhesha nënë. Lindi një engjëll, por lindi dhe një nënë. Të lindja edhe një herë si mami i Irisit ishte një dhuratë e çmuar, një pasuri e tërë.
Pas dy ditësh shtrim në spital U kthyem të dyja bashkë në shtëpi. E laja, e ndërroja, i jepja gji, më buzëqeshte, e dashuroja me gjithë shpirt, për gati tre javë unë isha mami më e lumtur në botë. Derisa mbërriti dita më e dhimbshme, më mallkuar e jetës sime.
Pasi e ushqeva, i bëra dhe gromësimën në krahët e mi, pikërisht ashtu siç më këshilluan infermieret në spital. Pas gjysmë ore shkova si zakonisht ta kontrolloja dhe i putha ballin... ngriva e tëra me buzët ngjitur pas saj... Gjaku mu ndal, zemra mu ça....
- Thërrisni ambulancën - ulërita, por ambulancat në Shqipëri nuk vijnë, një tmerr pa fund të presësh dhe të mos vijë. E mbërtheva në krahë engjëllin tim të ftohtë dhe këmbëzbathur u vërsula drejt spitalit.... mjeku uli kokën dhe supet. Nuk ndjeva më asgjë. Kisha humbur ndjenjat.... Dita më e ftohtë e ferrit të jetës sime.
Nuk doja ta besoja, që ime bijë ishte një engjëll tre javësh. Nuk arrija ti jepja kuptim dramës sime. Unë e vija në gjumë me bark lart. Gjithmonë, çdo ditë.... bëra gjithçka sipas këshillave të infermiereve. Pse mua? Pse foshnjës sime.....?
U deshën gati 4vjet që unë të rifilloja jetën time. Doja vetëm të harroja atë dhimbje dhe doja të rrija vetëm. Me ndihmën e mikes sime të ngushtë gjeta punë, jetë dhe shokun e jetës në kryeqytet. E dua shumë dhe ai gjithashtu mua. Duket se jeta po kujtohej pak e nga pak edhe për mua. Nuk bëmë dasmë, por dasma jonë ishte lindja e zemrës sonë Ilirit. Ai sot mbush plot një vit dhe unë e ruaj ende në gjumë, por mbi të gjitha atë e ruan Irisi im i shtrenjtë, që sot dhe çdo ditë na shoqëron të treve!

Kjo histori ka mbërritur në adresën This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.. Faleminderit mami Violës, që ndau me ne dhimbjen dhe kujtimin më të trishtë të jetës së saj. Redaktoi redaksia jonë. Na shkruani dhe besoni historitë tuaja më domethënëse nëse dëshironi. Kujtimet tuaja janë thesari i çmuar dhe projekti më pasur i Bebe & Vogëlushë. Ju falënderojmë për miqësinë tuaj!

Te gjitha pytjet dhe pergjigjet e mia jane bere ne Facebook ne faqen tone zyrtare!

Please Log in to join the conversation.

Time to create page: 0.410 seconds