Po të kisha folur me engjëllin tim, nuk do ta kishte braktisur jetën!
Djalin tim të parë e thërrisnin Geri.
Një djalosh me karakter diellor, me një buzëqeshje engjëlli, ishte djali që çdo nënë do të fallsifikonte letra për ta pasur. Nëse do të vazhdonte të jetonte sot do të ishte 22 vjeç. Ndoshta do të kishte mbaruar për arkitekturë, dega që ëndërronte Geri im i ëmbël. Martesa ime më të atin dukej se nuk mund të vazhdonte më, kishim humbur çdo gjë të përbashkët, që aq të lumtur e kishim gjetur në vitet e para të martesës sime. Geri e vuajti shumë këtë ndarje, por megjithatë i fortë si mendoja të ishte ai edhe kësaj radhe u ngrit, e kaluam së bashku brengën e madhe, që i la braktisja nga i ati.
Edhe pse u munduan shumë prindërit e mi dhe të të atit, përsëri ikja e tij la shenjë të dukshme tek djali, nuk fliste kurrë për ndjenjat e tij dhe dhimbja e madhe nuk gjeti kanal të derdhej dhe nuk do të arrij ta kuptoj kurrë, sesa keq i bënë në shpirt këto ndjenja të pashprehura.
Ashtu siç shpesh ndodh në këtë moshë u dashurua pas një vajze, që fatkeqësisht nuk ndjente të njëjtën gjë për të. Një dashuri nga ato të parat që therin fort shpirtin adoleshent të të rinjve, por që unë mendoja, se i përngjante daljes së dhëmbëve të qumështit.... besoja se do të binte si gjethe, po aq shpejt sa mbiu... por dashuri të tilla edhe vriskan ndonjëherë, të rrëmbejnë thesarin më të çmuar, të një nëne edhe fëmijën, dritën e syve të saj.
Shpirti im vuante tmerrësisht dhe unë më budallaqja në botë, nuk arrija të kuptoja prushin e depresionit, që kishte kapluar djalin. Unë si një idiote mendoja, se ai do ta kalonte edhe këtë pengesë dhe do të ecte përpara. Mendoja se të gjithë kishin humbur një dashuri... askush nuk vdes nga dashuria, ndërkohë që duhej të kisha folur me të hapur, ti thoja se çdo gjëje i gjendet ilaçi, çdo gjë kalon, çdo gjë shërohet përveç dorëzimit para jetës. Mendoja si një budallaqe, se ai tashmë ishte rritur dhe e kuptonte vetiu dhe natyrshëm sensin e fortë të jetës. Mendoja si një e mallkuar se ai do ta kthente vetë edhe këtë fletë të trishtë të librit të jetës.
Nuk ndodhi kështu.
Ndërkohë që unë frymoja ai vendosi të ndalë frymë. Zgjodhi një ditë të zakonshme pune timen dhe i dha fund jetës!
E mallkoj çdo ditë veten, që u tregova kaq e pavëmendshme ndaj dhimbjes së madhe, që këputi krahët e bardhë të jetës sime të vogël. Një Zot e di sa do doja të ktheja kohën pas dhe ta mësoja, se asnjë pengesë nuk na ndal dot, çdo gjë kapërcehet, asgjë nuk të vë dot poshtë! Pse nuk fola me të? Pse nuk e ndava peshën e madhe, që i rëndonte shpatullat e njoma? sot jam një nënë e mallkuar, që mban në gji letrën e tij të lamtumirës! Mami mos u ndjej në faj.... vetëm se unë nuk vazhdoj dot më kështu....
Asnjë shpjegim, asnjë "përse" se përse të arrijë të braktisë jetën, një fëmijë.
Këtë dhimbje, që po përjetoj prej vitesh, nuk ia uroj asnjë zemre nëne. Tani jetoj me kujtimin e tij në zemër dhe me vajzën time të vogël në duar. Nuk jetoj, marr vetëm frymë. Lexoj pafund letrën tënde sa herë, që dua të kuptoj ku gabova, por ti nuk më ke fajësuar dhe guxoj të marr frymë vetëm se nuk më ke fajësuar! Mirë u pafshim bir! Do vij drejt teje një ditë dhe do të them: erdhi, mami është këtu pranë teje!
Kjo letër ka mbërritur në This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it. dhe është shkruar nga mikesha e ngushtë e mami Rezit. Flisni me fëmijët tuaj, bëhuni kanali i tyre i për të derdhur çdo brengë ndjenje trishtimi, sidomos adoleshenciale, që ata të mos ndiejnë gjërat më të rënda seç janë në të vërtetë, asgjë nuk është aq e rëndësishme sa jeta e tyre. Të mos kemi frikë t'u rrimë pranë, ti puthim, përkëdhelim pa fund, tu tregojmë se ne jemi këtu sa herë, që kemi nevojë dhe se kemi nevojë si për ujin, për ta! Një përqafim për mami Rezin!
Ky rrëfim është rishkruar nga Elda.T nëna e dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, krijuese e faqes në Facebook dhe forumit me emrin Bebe & Vogëlushë.
Nëse doni të na besoni historitë më të ndjera të jetës suaj na shkruani në This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.